Kushtetuesja rrëzon përgjimin nga policia, Avokati i Popullit: Cenonte të drejtat për qytetarët

05/07/2021 19:14

Avokati i Popullit ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e këtij institucioni dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke rrëzuar përgjimin nga policia pa lejen e prokurorisë.

Me një postim në Facebook, Avokati i Popullit shkruan se neni 131 i ligjit për Policinë e Shtetit bie ndesh me Kushtetutën.

Gjithashtu thekson se ky nen do të cenonte të drejtat dhe garancitë kushtetuese për qytetarët shqiptarë.

“Shfuqizimi i Nenit 131 të këtij ligji ishte kërkuar pranë Gjykatës Kushtetuese edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ndërkohë, në mbështetje të kërkesave nga Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, institucioni i Presidentit të Republikës i cili më herët kishte ushtruar kompetencën e tij me dekret për ta kthyer këtë ligj për shkak se binte ndesh me Kushtetutën, ka kërkuar shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 të këtij ligji.Avokati i Popullit, si një institucion kushtetues në mbrojtje dhe garantim të të drejtave të njeriut ka argumentuar se në rastin konkret kemi një cenim të së drejtës, të garantuar nga neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e për rrjedhojë edhe cenim të të drejtave dhe garancive kushtetuese për shtetasit shqiptarë”, shkruhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

 

Top Channel