Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe ka rrëzuar përgjimin nga policia pa lejen e Prokurorisë.
Neni 131 i ligjit “Për Policinë e Shtetit” sipas “Kushtetueses” vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit.
Disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit u miratuan në nëntor të vitit 2020 nga Kuvendi për të shënuar një tjetër hap në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Neni 131 i mëparshëm parashikonte që kur ka të dhëna që një person ka kryer apo po planifikon të kryejë një krim, policia me leje të Prokurorisë kryen përgjim të fshehtë të bisedave në vende publike ose në mjete transporti, përgjon bisedat telefonike si dhe bën fotografime të fshehta, regjistrim audio apo video. Ligji i miratuar ndryshoi nenin 131, duke parashikuar të drejtën e policisë për të kryer veprimtari informative-gjurmuese, pa lejen e prokurorisë, por jo përgjimin e telefonatave apo ambienteve private.
NJOFTIM
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës01.07.2021mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:
– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
-Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar,vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”,sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
Pranimin e kërkesave.
2. Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.
3. Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Top Channel