65 vjeçari kafshohet nga pitoni i fqinjit në ‘zonën gjenitale’, teksa rrinte ulur në tualet (fotot)

05/07/2021 21:03

Një burrë në Austri është kafshuar në zonën gjenitale nga gjarpri piton i fqinjit të tij, teksa rrinte ulur në tualet.

65-vjecari nga qyteti jugor i Graz, u kafshua mëngjesin e sotëm teksa rrinte në tualetin e shtëpisë së tij.

Policia tha se burri kishte ndjerë një të pickuar nga poshtë dhe kishte kërcyer përpjetë në panik, kur pa në vrimën e bidesë kokën e pitonit gati 2 metra të gjatë, që e shikonte.

Burri kishte lajmëruar policinë që erdhën bashkë me një ekspert zvarranikësh, të cilët e morën gjarprin nga vendi ku ishte fshehur.

Edhe burri u shoqërua në spital për plagë të vogla.

Për fat pitonët nuk janë gjarpërinj helmues por plagë të tilla mund të infektohen nga bakteriet e tualetit.

Eksperti Werner Stangl tha se as pitoni nuk ishte plagosur gjatë episodit, dhe autoritetet po e pastronin gjarprin për t’ia kthyer të zotit 24 vjeçar, që është fqinj i viktimës.

Policia tha se i riu mban në shtëpi një total prej 11 gjarpërinjsh jo-helmues si dhe një hardhucë zvaranike ‘geko’, të cilat jetojnë në kafazë e ndarje të përshtatura posaçërisht.

I zoti i gjarprit nuk e kishte idenë që gjarpri ishte larguar nga shtëpia dhe nuk është e qartë si arriti ta bënte.

Policia tha se pronari i gjarprit ishte referuar në prokurori për dëmtime të lehta trupore por nuk dihet si do të penalizohet.

FOTO GALERI
1/3
Një burrë në Austri është kafshuar në zonën gjenitale nga gjarpri piton i fqinjit të tij, teksa rrinte ulur në tualet.

Top Channel