Veteranët e ushtrisë krijojnë flamuj amerikanë prej druri

04/07/2021 22:07

“Flags of Valor” është një kompani që bën flamuj amerikanë prej druri dhe siguron punësim për veteranët e SHBA. Kompania gjithashtu mbledh para për të mbështetur organizatat e veteranëve.

Eric Wilson është duke përpunuar drurin për krijimin e flamujve amerikanë në kompaninë “Flags of Valor”, në Winchester të shtetit Virginia. Pasi shërbeu në ushtrinë amerikane në Irak dhe Afganistan, ai thotë se flamuri amerikan do të thotë shumë për të.

“Këtu në SHBA ne kemi lirinë të praktikojmë çdo fe që duam dhe kemi lirinë e fjalës. Ke lirinë të shprehësh atë që dëshiron. Kështu e shikoj unë flamurin amerikan”, thotë Eric Wilson.

Edhe punëtorët e tjerë në këtë kompani janë veteranë, përfshirë Jacob Young.

“Unë luftova për këtë flamur”, thotë ai.

“Flags of Valor”, fillimisht nisi si një projekt familjar dhe në vitin 2015 u bë një kompani prodhuese që shet rreth 30 mijë flamuj prej druri me madhësi të ndryshme çdo vit.

Secili prej flamujve është një vepër arti e bërë nga një veteran, i cili vendos edhe firmën e tij.

Bashkëthemeluesi Brian Steorts, një ish-parashutist i Ushtrisë dhe pilot i operacioneve speciale të Forcave Ajrore amerikane, filloi të skaliste flamuj prej druri në shtëpi kur ai ishte duke u rikuperuar nga një plagosje në luftën e Afganistanit.

“Ajo që bëja ishte si një terapi, duke marrë lëndë të parë duke pikturuar dhe lëmuar dhe duke e kthyer atë në diçka të bukur, veçanërisht simboli i vendit tonë, i cili është flamuri amerikan”, thotë ai.

Më vonë idesë së tij iu bashkua edhe Joe Shamess, një tjetër pilot i Forcave Ajrore dhe lindi kompania “Flags of Valor”.

“Unë mendoj se ajo që na bëri të suksesshëm ishte përkushtimi ynë që nga fillimi dhe për të punësuar veteranë”, thotë zoti Joe Shamess, bashkëthemelues i kompanisë “Flags of Valor”.

Deri tani kompania ka mbledhur 1.2 milionë dollarë për organizatat bamirëse veterane.

“Ne mbështesim organizatat që trajtojnë stresin post-traumatik. Ne dhurojmë për organizatat që mbështesin familjet e të rënëve. Kjo është shumë e rëndësishme sepse shpesh ata nuk marrin gjithë mbështetjen e nevojshme”, thotë Joe Shamess, bashkëthemelues i kompanisë “Flags of Valor”.

Përveç flamurit me ngjyra ekziston edhe një version bardh e zi.

Ish piloti Steorts vlerëson patriotizmin dhe sakrificën e veteranëve për të cilët thotë se janë punonjës të shkëlqyeshëm.

“Joe dhe unë jemi gjithashtu veteranë kështu që ne e kuptojmë se si të gjithë mendojnë”, thotë ai.

Eric Wilson vlerëson ambientin e punës për të cilin thotë se e bën atë të ndihet si në shtëpinë e tij. “Ndjehesh si në ushtri. Kjo ndjenjë vëllazërore është këtu”, thotë ai./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA