Shefi i shërbimit të djegie plastikës në QSUT, Gjergji Belba la ditën e pushimit dhe erdhi në krye të detyrës së bashku me stafin mjekësor për t’i ardhur në ndihmë Adelinës e 3 fëmijëve të saj që u lënduan nga shpërthimi i bombolës së gazit në Velipojë një ditë pasi kishin shkuar të përgatisnin hotelin e tyre për të pritur pushuesit e parë.

Dy fëmijët e mitur të moshës 15 dhe 11 vjec për shkak të gjendjes së rënduar u transferuan menjëherë nga spitali i Shkodrës për në Tiranë me helikopter, ndërsa nena e tyre me djalin mbërritën me autoambulancë rreth orës 9 të mëngjesit të kësaj të diele.

“Situata në spitalin e djegie plastikës brenda QSUT në Tiranë paraqitet e rënduar. Jashtë spitalit qëndrojnë në pritje të afërmit e familjes Gjoka të cilët me ankth duan të mësojnë gjendjen shëndetësore të 4 anëtarëve të familjes; mes tyre është edhe nëna e Adelinës e cila shtrëngon në duar një kryq e lutet që çdo gjë të shkojë mbarë e me sukses”.

Në një reagim zyrtar të QSUT njoftohet se “pas konsultës së parë mjekësore është konstatuar se pacientët kanë djegie të rënda në trup. Aktualisht janë duke u trajtuar me mjekim intensive dhe janë në ndjekje të vazhdueshme nga stafi mjekësor”. Bombolat e gazit ishin armët e drejtuara ndaj pronares së hotelit e 3 fëmijëve të saj mëngjesin e sotëm teksa ata ishin zgjuar herët për të pirë kafen, tregojnë dëshmitarët e ngjarjes.

Teksa shpëtimi nga flakët për ta ishte hedhja në pishinë, kur shihnin hotelin të shkrumbohej, mjekët jashtë kamerave u shprehën se uji me klor në fakt nuk I ka ndihmuar por ju ka dëmtuar lëkurën, ndërsa djegia e tyre konsiderohet e gradës së tretë mbi 80%.

Top Channel