Tërhiqen trupat amerikane, Baza Bagram nën kontrollin afgan

03/07/2021 01:11

Forcat amerikane janë larguar nga Bagrami, baza kryesore amerikane në Afganistan. Tani kjo fushë aviacioni është në duart e Forcave Kombëtare Afgane për Sigurinë. Talibanët e pëshëndetën tërheqjen, por ekspertë të sigurisë parashikojnë një përkeqësim të mëtejshëm të situatës: Pas afro dy dekadash si qendra e operacioneve luftarake amerikane, Baza Ajrore Bagram ka kaluar në duart e forcave afgane, konfirmoi për Zërin e Amerikës një zyrtar i Pentagonit.

Baza, e cila ndodhet 60 km në veri të Kabulit, ka shërbyer si qendra e operacioneve luftarake amerikane për të rrëzuar Talibanët nga pushteti dhe për të luftuar al-Qaidan, rrjeti përgjegjës për sulmet terroriste në 11 shtatorit 2001 ndaj SHBA. Një zëdhënës i ministrisë afgane të Mbrojtjes konfirmoi të premten tërheqjen e të gjitha trupave të huaja nga Bagrami. “Të gjitha forcat e koalicionit si dhe trupat amerikane janë larguar që mbrëmë nga Baza Ajrore Bagram,” shkruante zëdhënësi Fawad Aman në Twitter.

Darwaish Raufi, administrator i distriktit të Bagramit “Aktualisht situata është nën kontroll, çdo gjë normale, nuk kemi probleme. Dislokimi i ushtrisë afgane ka filluar, duke marrë nën kontroll postblloqet dhe kullat e sigurisë që më parë kishin personel të ushtrisë amerikane,” thotë Darwaish Raufi, administrator i distriktit të Bagramit. Gjenerali Austin “Scott” Miller, komandant i forcave amerikane në Afganistan, ndodhet ende në Afganistan së bashku me forcat amerikane që mbeten në këtë vend, sipas një zyrtari amerikan.

Talibanët e përshëndetën dorëzimin e bazës, duke e cilësuar si hap pozitiv. “Afganët kanë tani mundësi t’i afrohen edhe më shumë stabilitetit dhe paqes me tërheqjen e plotë të forcave të huaja,” tha për Zërin e Amerikës Zabihullah Mujahid, zëdhënës i Talibanëve. Baza Bagram, sipas historianëve, shihet si një simbol i zhvillimeve madhore në Afganistan që nga pushtimi sovjetik e deri tek ndërhyrja amerikane në 2001. “Simbolizon çdo gjë pozitive e negative që ka ndodhur në këtë vend pas ndërhyrjes ushtarake amerikane,” tha studiuesi Tamim Asey për Zërin e Amerikës.

Gjenerali Miller tha të martën në komentet për shtyp se situata e sigurisë “nuk është e mirë aktualisht” dhe paralajmëroi Talibanët të mos tentojnë të marrin me forcë kontrollin. “Nuk është në inteneres të askujt, aq më pak të popullit të Afganistanit, marrja e kontrollit me forcë ushtarake” tha gjenerali. Analistët shqetësohen për keqësimin e situatës së sigurisë pas tërheqjes së mëtejshme të forcave të huaja nga Afganistani. Që nga 1 maji, kur filloi tërheqja, Talibanët kanë dyfishuar numrin e distrikteve të kanë nën kontroll, sipas Fondacionit pë Mbrojtjen e Demokracive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA