Sot Ukrainë-Angli/ Në orën 18:00 përballet Çekia me Danimarkën

03/07/2021 17:17

Pas shumë e shumë përpjekjeve, më në fund Anglia ia doli mbanë për të eliminuar Gjermaninë në një përballje me eliminim të drejtpërdrejtë, në një aktivitet madhor.

Tani përfaqësuesja e “Tre Luanëve” bëhet gati për të hedhur një hap shumë të rëndësishëm në Europian, teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Gareth Southgate do të ndeshet me ekipin e Ukrainës.

Bëhet fjalë për çerekfinalen e fundit të këtij Europiani dhe natyrisht skuadra që mban vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, konsiderohet favorite për të kaluar mes katër përfaqësueseve më të mira të këtij kompeticioni.

Dy vendet kanë diferenca shumë të mëdha dhe për të përforcuar një detaj të tillë mjafton të kujtohet fakti që Ukraina konsiderohej si vendi me pozicionimin më të ulët në renditjen botërore nga 16 skuadrat e kualifikuara nga faza e grupeve, pas vetëm Republikës Çeke, që aktualisht mban vendin e 40-të në klasifikimin e FIFA-s.

Në 5 përballjet kompetitive në aktivitetet madhore, Anglia kryeson minimalisht 2-1 me fitore, ndërsa në statistikat e përgjithshme, duke shtuar edhe dy sfida miqësore, “Tre Luanët” udhëheqin 4-1.

Takimi Ukrainë-Angli do të mbahet në “Qytetin e Përjetshëm”, në orën 21:00, në “Stadio Olimpico” dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Felix Brych.

Më herët do të masin forcat gjithashtu edhe Republika Çeke me Danimarkën, në një duel tepër të barabartë, që vlen gjithashtu kalimin për në fazën gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Të dy ekipet kanë bërë një figurë shumë të mirë deri në këtë pikë të kampionatit, gjithsesi Republika Çeke apo Çekosllovakia ka dominuar 13-2 me fitore 26 përballjet ndërmjet tyre. 5 nga 6 sfidat e fundit ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet janë mbyllur në barazim.

Takimi Republikë Çeke-Danimarkë do të luhet në orën 18:00, në Azerbajxhan, në “Stadiumin Olimpik” të Bakusë dhe do të drejtohet nga kryesori holandez, Bjorn Kuipers.

Top Channel