Schick nuk mjafton për çekët, Danimarka fiton dhe arrin gjysmëfinalet

03/07/2021 20:40

Danimarka është skuadra e tretë gjysmëfinaliste e Europianit.

Skuadra e drejtuar nga Kasper Hjumland triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj republikës Çeke në “Olimpic Arena” të Bakusë dhe siguroi kalimin në gjysmëfinale, ku do të përballet me fituesen e çiftit Angli-Ukrainë.

Republika Çeke e nisi më mirë ndeshjen, por u ndëshkua në aksionin e parë të danezëve, të cilët zhbllokuan rezultatin që në minutën e 5-të, kur pas një krosimi nga këndi, ishte mesfushori Delaney që u harrua i lirë në zonë dhe me një gjuajtje të saktë me kokë, dërgoi topin në rrjetë.

Në minutat 13’ dhe 17’, danezët i shkuan dy herë pranë golit të dytë, por fillimisht ishte Damsgard që shpërdoroi i vetëm me portierin dhe më pas Delaney, që këtë herë gaboi shënjestër dhe dërgoi topin jashtë kuadratit.

Nga ana tjetër Republika Çeke kërcënoi vetëm me anë të sulmuesit Tomas Holes në minutën e 22-të, i cili u shërbye saktë në zonë, por gjuajtja e tij drejt portës u ndal në mënyrë mjaft të bukur nga portieri Kasper Schmeichel.

Kur kishin mbetur edhe tre minuta nga fundi i pjesës së parë, Danimarka zbriti në një tjetër kundërsulm të rrezikshëm dhe Dolberg shënoi golin e dytë, pasi shfrytëzoi një krosim të Maehle, për të mposhtur për herë të dytë portierin Vaclik.

Pjesa e dytë nisi menjëherë vrullshëm për Republikën Çeke, që gjeti golin me të përhershmin Patrick Schick që në minutën e 49’, duke rihapur takimin dhe duke bërë që ndeshja të ishte mjaft interesante deri në fundin e saj.

Çekët provuan me të gjitha mënyrat për të gjetur golin e barazimit, por nuk ia dolën të thyejnë sërish portierin Schmeichel, ndërsa nga ana tjetër edhe danezët shpërdoruan disa mundësi të mira për të mbyllur llogaritë e ndeshjes.

Vërshëllima finale e arbitrit holandez Bjorn Kuipers la në fuqi rezultatin 2-1 në favor të Danimerkës, që pavarësisht startit të dobët, e sheh veten në gjysmëfinale, ndërsa Republika Çeke i jep lamtumirën me kokën lart Europianit, pasi ka bërë një performancë mjaft të mirë, duke arritur deri në çerekfinale.

Top Channel