Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është zotuar para delegatëve se do të punojë pandalshëm dhe se do të bashkëpunojë me secilin nga anëtarët. Ai ka pohuar se do të ketë shumë sfida dhe pengesa, por siç tha ai, me energjinë që kanë do t’ia dalin që t’i tejkalojnë të gjitha.
Krasniqi pas votimit ka thënë se nga sot do të vazhdohet rrugëtimi i përbashkët në hapat e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
“Ju sot sapo më m’veshët me besimin që ua kërkova për të vazhduar rrugëtimin e përbashkët e për të çuar tutje rrugën në hapat e dy liderëve tonë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, por edhe të Enver Hoxhaj… Përtej vetëm një mandati kërkova besimin tuaj dhe do t’ua shpërblejë me punë e përkushtim të pandalshëm, me bashkëpunim me secilin anëtar të PDK-së, pro edhe me gjithë ata qytetarë të vendit tonë që duan t’i bashkohen PDK-së për një të ardhme më të mirë por edhe për shtetin tonë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai tha se e njeh mirë shpirtin e partisë por edhe vullnetin që buron nga secili anëtar i PDK-së, kështu sipas tij do t’ia dalin në vazhdim e rrugëtimit.
469 delegatë të Konventës së dhjetë zgjedhore të PDK-së e zgjodhën Krasniqin të parin e partisë. Ndërsa shtatë delegatë ishin kundër zgjedhjes se tij për kryetar.
Kush është Memli Krasniqi?
Krasniqi rrugëton tash e 17 vjet me PDK-në. Në karrierën e tij politike, ka mbajtur pozita si në parti ashtu edhe në institucionet shtetërore.
Ai ka qenë dy herë ministër, duke drejtuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga vitit 2011 deri në vitin 2014 dhe nga 2014 deri në vitin 2017 atë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në të gjitha zgjedhjet nacionale në Kosovë, që nga vitit 2007, Memli Krasniqi është zgjedhur 6 herë deputet.
Në legjislaturën 2017-2019, të Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka qenë Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së. Ndërkaq në legjislaturën 2020-2021 ndërkaq, ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Memli Krasniqi ka lindur dhe jeton në Prishtinë. Shkollën fillore e ka kryer në “Hasan Prishtina”, e atë të mesme në Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Ai ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet Master i ka përfunduar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
Në vitet 1999 – 2000 ka punuar si gazetar për Agjencinë amerikane të lajmeve “Associated Press”, ndërsa në vitin 2002 ka qenë drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.
Nga viti 2004 është angazhuar aktivisht në Partisë Demokratike të Kosovës, fillimisht duke drejtuar Qendrën për Studime Politike që ka funksionuar në kuadër të kabinetit të kryetarit të partisë atëherë, Hashim Thaçi.
Me krijimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Krasniqi është emëruar udhëheqës i Departamentit të Risinë, ndërsa në tetor të vitit 2006 është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës. Për disa vjet, ka qenë anëtar i Kryesisë së PDK-së, e së fundi edhe nënkryetar.
Top Channel