Opinioni gjerman nuk e fal një politikan, besueshmëria e të cilit vihet në pikëpyetje, thotë DW.
E duket se kjo po ndodh edhe me gruan që kishte të gjitha shanset të zinte vendin e Angela Merkelit në krye të qeverisë gjermane. Kandidatja e të Gjelbërve për kancelare, Annalena Baerbock përballet me akuzat për plagjiarizëm, cka bëri që partia e saj të bjerë menjëherë në sondazhe. Të Gjelbrit synojnë fitore në zgjedhjet parlamentare të shtatorit, por pritshmëritë ndaj një personi që kandidon me synimin për të ripërtërirë Gjermaninë janë të mëdha, e ai supozohet të jetë një model që ta ndjekin pas të tjerët.
Është bërë e zakonshme që në shumë vende, politikanë të cilët synojnë poste të larta shtetërore apo partiake, të publikojnë pak para zgjedhjes libra. Në to ata u ofrojnë mundësi zgjedhësve që të njohin edhe më nga afër pikëpamjet dhe tiparet personale të autorit. Por në librin “Tani. Si ta ripërtërijmë vendin tonë”, të publikuar në 21 qershor, kandidates së Të Gjelbërve për kancelare, Annalena Baerbock-ut dhe ekipit të saj i kanë shpëtuar disa pakujdesi dhe tani akuzohet për plagjiarizëm.
Autorja apo ekipi i saj thuhet se kanë kopjuar ndër të tjera, fjali nga gazeta gjermane (Tagesanzeiger), nga një institucion (Bundeszentrale für Politische Bildung), nga një autor amerikan (Michael T. Klare) dhe nga një revistë (Spiegel) pa dhënë burimin. Libri me 240 faqe i Baerbockut përmban teza politike të Të Gjelbërve, të cilat Baerbocku i shoqëron me përjetime personale të saj.
Top Channel