Zvicra pa Xhakën në “mission impossible” përballë Spanjës/ Sot në orën 18:00

02/07/2021 11:28

Spanja dhe Zvicra çelin fazën çerekfinale të Europianit me sfidën që zhvillohet në Rusi.

Fusha mund të ndryshojë krejtësisht fatin e mëtejshëm, por në letër, ashtu si në duelin e ditës së shtunë, Angli – Ukrainë, Spanja konsiderohet favorite për të bërë përpara drejt fazës gjysmëfinale.

Për hir të së vërtetës përballjet ndërmjet këtyre dy vendeve nuk kanë patur kurrë histori. Të vetmen disfatë në historinë 96-vjeçare të sfidave ndërmjet tyre “La Furia Roja” e ka pësuar në vitin 2010 dhe bëhet fjalë për humbjen më të ëmbël në gjithë historinë e futbollit spanjoll. Kështu pas humbjes minimale 1-0 në Durban, Spanja e Vicente del Bosque-s ktheu gjithçka për t’u kurorëzuar në fund, në Johannesburg, në finalen e madhe ndaj Holandës, me titullin e parë dhe të vetëm botëror. Spanja pozicionohet e gjashta në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, vetëm një vend përpara Italisë, ndërsa Zvicra për momentin mban vendin e 13-të në renditjen botërore.

Përfaqësuesja helvete shkaktoi surprizën më të madhë të këtij evropiani, duke eliminuar Francën, që konsiderohej si edhe ekipi favorit për të triumfuar në finalen e madhe të 11 korrikut në Wembley.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Vladimir Petkovic shfrytëzoi në maksimum mendjemadhësinë e “bluve” si dhe gabimet e rënda të trajnerit Didier Deschamps, për të shkaktuar një ndër befasitë më të mëdha në historinë e Europianëve. Lojtari i ndeshjes në këtë takim ishte mesfushori Granit Xhaka, megjithatë sikur të mos mjaftonin diferencat e mëdha me Spanjën për fatin e keq të Zvicrës skuadra helvete nuk do të ketë në dispozicion ndaj formacionit të Luis Enrique-s pikërisht kapitenin Granit Xhaka, që do të mungojë për shkak të kartonëve.

Pesë vjet më herët Zvicra u ndal te pika e bardhë e penalltive në duelin me Poloninë, pikërisht në fazën e 1/8, megjithatë këtë herë përballë qëndron Spanja dhe gjërat duken shumë më të vështira, duke marrë në konsideratë edhe lodhjen e madhe të ndeshjes me Francën. Përveç kësaj përfaqësuesja helvete është edhe kombëtarja që ka sakrifikuar më tepër, duke përshkuar kilometra pa fund në këtë Europian, nga Azerbajxhani në Itali e anasjelltas, për të përfunduar në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht.

Në anën tjetër Spanja e nisi duke shpërdoruar mundësi të shumta, e për pasojë “La Roja” nuk shkoi dot përtej dy barazimeve zhgënjyese ndaj Suedisë dhe Polonisë, për më tepër brenda në Sevilje. Pikërisht në Andaluzi vendasit garantuan kualifikimin duke i dhënë një shuplakë të fortë Sllovakisë, ndërsa në vijim skuadra e Luis Enrique-s u bë e para që realizon në dy ndeshje rresht nga pesë gola në historinë e një evropiani.

Falë vendit të dytë në Grupin E Spanja u shortua me Kroacinë, sidoqoftë “La Furia Roja” çoi dëm epërsinë e dy golave, për të mposhtur më pas në Kopenhagen 5-3 nënkampionët e botës pas kohës shtesë dhe në këtë mënyrë Spanja u bë edhe vendi i parë që fiton pesë takime në një evropian në kohën shtesë ose me 11-metërsha.

Në bilancin e përgjithshëm të 7 sfidave kompetitive Spanja kryeson 4-1, ndërsa në total duke përfshirë edhe ndeshjet miqësore, “La Roja” udhëheq 16-1 statistikat e 22 takimeve ndërmjet tyre. Takimi Zvicër – Spanjë do të mbahet në orën 18:00, në stadiumin “Krestovsky” të Shën Petersburgut, dhe do të drejtohet nga kryesori, anglez Michael Oliver./ SuperSport

Top Channel