Spanja është gjysmëfinalistja e parë e Evropianit, mund Zvicrën me penallti

02/07/2021 21:03

Xherdan Shaqiri nuk mjafton për Zvicrën. Spanja është gjysmëfinalistja e parë e Euro 2020, me La Rojan që mposhti përfaqësuesen helvete pas goditjes së penalltive me shifrat totale 4-2.

1-1 përfunduan 90 minutat e kohës së rregullt dhe shtesa prej 30 minutash ndërkohë që te 11-metërshat Spanja u tregua më e saktë duke triumfuar 3-1 pasi zviceranët humbën 3 nga 4 penalltitë e goditura ndërsa për spanjollët gabuan vetëm Sergi Busquets dhe Rodri duke shënuar 3 nga 5 11-metërsha për të festuar në fund një kualifikim të merituar edhe për faktin se Spanja krijoi më shumë raste dhe prodhoi më shumë volum loje se Zvicra në këtë duel.

La Roja kaloi shumë shpejt në avantazh që në minutën e 8-të me autogolin e Zakarias,  që ishte i pafat në devijimin e Jordi Albas. Por edhe pse Spanja kishte një marsh më shumë në këtë ndeshje Zvicra e Petkovic u mbajt fort dhe në minutën e 68-të Seferovic përfitoi nga gabimet në mbrojtje të spanjollëve duke i servirur Xherdan Shaqirit një asist perfekt me futbollistin e Liverpool që mposhti Unai Simon.

Megjithatë sfida për Zvicrën u kthye në një malore në minutën e 77-të kur Remo Freuler u ndëshkua menjëherë me karton të kuq për një ndërhyrje të rëndë. Pavarsisht ofensivës spanjolle në minutat e mbetura dhe në shtesë, Sommer u shfaq në lartësinë e duhur duke e çuar ndeshjen te penalltitë aty ku Oyarzabal realizoi penalltinë vendimtare që çoi skuadrën e Luis Enriques në gjysmëfinale.

Top Channel