Protesta për ujin e pijshëm në Vlorë/ Qytetarët kërkojnë zgjidhje para bashkisë

02/07/2021 15:17

Banorët e Panajasë, Kërkovës, Bestrovës dhe Bunavisë, Oshtimës pas protestës të zhvilluar pak ditë më parë në fshatin Panaja, sot i kanë zënë derën bashkisë së Vlorës.

Një përfaqësi prej banorëve të zonës ka dalë në protestë paqësore sot në bashkinë Vlorë ku kërkojnë ujë të pijshëm. Sipas banorëve, Panajaja dhe fshatrat përreth kanë më tepër se 20 ditë pa ujë të pijshëm.

“Paratë i kemi paguar të gjitha dhe nuk kemi pikë uji. U bënë dy muaj, unë jam pa pikë uji”, thotë një banor.

Pas disa minutave protestë, bashkia e Vlorës i ka thirrur në një takim ku banorët janë pritur nga drejtori i ujësjellësit Shkëlqim Leskaj dhe nënkryetari i bashkisë Vlorë, Shkëlqim Ramaj.

Na u ofrua një zgjidhje afatshkurtër, emergjente. Shqetësimi kryesor ynë janë lidhjet e jashtëligjshme, në rrjetin kryesor të ujësjellësit. Vjen sezoni veror dhe ne nuk kemi ujë. Arsyeja është se ujisin tokat“, shprehet një tjetër qytetar.

Banorëve iu është thënë se ka një projekt, i cili do të zbatohet dhe duke filluar nga e marta do të kenë ujë. Kjo gjë është cilësuar nga banorët si premtime të kota të cilat janë premtuar edhe më parë. Banorët akuza të forta kundrejt bashkisë së Vlorës dhe deputetëve të zonës si Fatë Velaj dhe Damian Gjiknuri sipas tyre deputet që duken në zonë vetëm në kohë fushate. megjithatë, banorët janë pesimistë: “Unë nuk kam shpresë. Jemi regjur me këto punë. Po nuk pati zgjidhje, do vimë prapë këtu! Do ngremë kusi e kazanë e do jemi këtu“.

Top Channel