Vllaznia rikthen Liridon Latifin në Superiore, firmos për dy sezone

01/07/2021 17:49

Liridon Latifi firmos me Vllazninë. Sulmuesi që shkëlqeu në Kategorinë Superiore me Skënderbeun, rikthehet sërish në futbollin shqiptar, këtë herë për të veshur fanellën e kuqebluve të Shkodrës.

Lajmin e ka dhënë vetë klubi i Vllaznisë, që zbulon se Latifi ka firmosur për dy sezone me kuqeblutë, teksa është bërë edhe prezantimi zyrtar I sulmuesit nga Prishtina me fanellë ne klubit shkodran.

Liridon Latifi spikati në periudhën 2015-2017 me Skënderbeun dhe më pas u transferua te Puskas Akademia në futbollin hungarez, ku nuk ia doli të lërë gjurmë. Katër sezonet e fundit të karrierës së 27-vjeçarit kanë qenë për t’u harruar, megjithatë tani futbollisti do të provojë të rikthehet në nivele të larta, këtë herë me fanellën e Vllaznisë.

Pas prezantimit zyrtar, Latifi do të udhëtojë menjëherë drejt Zlatiborit, për t’u vendosur nën urdhrat e trajnerit Thomas Brdaric dhe për t’u përgatitur për ndeshjet eliminatore të Conference League, ku shkodranët do të përballem ne boshnjakët e Siroki Brijeg në turin e parë.

Me sulmuesin prishtinas, kuqeblutë bëjnë një goditje të bujshme dhe përforcojnë edhe më shumë repartin e avancuar, ndërsa drejtuesit e klubit shkodran vijojnë punën për të kompletuar skuadrën, pasi synojnë jo vetëm një rrugëtim të gjatë në Europë, por edhe titullin kampion sezonin e ardhshëm.

Top Channel