Dhjetëra njerëz kanë vdekur në Kanada, në kohën kur ky vend po përballet me një valë të paparë të nxehtësisë.
Policia në zonën Vankuver u është përgjigjur më shumë se 130 vdekjeve të papritura që nga e premtja.
Shumica e viktimave kanë qenë njerëz të moshuar ose me probleme shëndetësore.
Sipas policisë, nxehtësia besohet se ishte faktor kontribues në vdekjen e 65 personave.
Të martën, Kanadaja ka regjistruar temperaturën më të lartë në historinë e saj: 49.5 gradë Celsius në qytezën Liton.
Përpara kësaj jave, temperaturat në këtë vend nuk kanë kaluar 45 gradë Celsius.
“Vankuver nuk ka përjetuar kurrë nxehtësi si kjo dhe, fatkeqësisht, dhjetëra njerëz po vdesin për shkak të saj”, tha rreshteri i policisë, Steve Addison.
Me valë të nxehtësisë po përballen edhe disa pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Të hënën, temperatura në Portllend të Oregonit ka arritur në 46.1 gradë Celsius, ndërsa në Sietëll të Uashingtonit ka shënuar 42.2 gradë.
Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit, të tilla si valët e nxehtësisë./REL
Top Channel