Parashikimet për rritjen ekonomike sa vijnë e bëhen më optimiste edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Në raportin e fundit Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 4.5% këtë vit, duke arritur nivelin e vitit 2019.
Me këtë parashikim që BERZH bën për rimëkëmbjen tejkalon me 1% nivelin e rritjes së shënuar më 2019-ën, por megjithatë referuar raportit sërish rritja qëndron poshtë mesatares së vendeve të rajonit. Ndërsa për vitin e ardhshëm, BERZH pret që ekonomia të zgjerohet me 4%.
Pritshmëritë më optimiste të institucionit financiar mbështeten në një skenar që përfshin një rritje të konsumit si dhe rimëkëmbje të sektorit të turizmit, i cili ka marrë një goditje të madhe si rrjedhojë e pandemisë dhe masave kufizuese që kanë ndërmarrë vendet.
Pikëpyetjet mbi zhvillimin normal të industrisë turistike janë të mëdha dhe risqet për ekonomitë e vendeve që varen shumë nga turizmi siç është ajo e Shqipërisë janë të larta.
Në rajon sipas BERZH rritjen më të madhe pritet ta ketë Mali u Zi me 8.5%, ndjekur nga Serbia me 6%, teksa Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet të arrijnë nivelin e 4%. Ndërsa ekonomia e Bosnje Hercegovinës pritet të zgjerohet me rreth 3.5% këtë vit.
Treguesit e institucioneve zyrtare flasin për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë. Vetëm një ditë më parë Instat raportoi për një rritje ekonomike prej 5.5% në tremujorin e parë, por megjithatë sektorë që lidhen kryesisht me tregtinë, shërbimet dhe akomodimin po rikuperohen me ritme më të ngadalta.
Top Channel