Shkencëtarët parashikojnë humbje alarmante të akullnajave deri në vitin 2100, vlerësime të kobshme për Alpet
Policia franceze tha se sot nuk ka arritur ende të identifikojë gruan “e papërgjegjshme” që me pankartën e saj të shkruar në gjermanisht shkaktoi një përplasje masive e të frikshme të ciklistëve që garonin në ‘Tour de France’, duke shtuar se mund të jetë larguar nga vendi për t’i shpëtuar përgjegjësisë.
Një hetim policor po zhvillohet për vendimin e papërgjegjshëm të tifozes që me pankartën e saj doli thuajse në rrugë për t’i treguar kamerave mesazhin për familjen e saj, dhe shkaktoi pasoja shkatërrimtare për grupin garues të çiklistëve.
Përplasja e rëndë ndodhi në majë të kodrës Saint-Rivoal në qytezën franceze të Saint-Cadou, rreth 40 km larg qytetit Brest.
Mediat franceze thonë se spektatorja është me shumë gjasa gjermane prej gjuhës së përdorur në pankartë.
Kaosi i plotë përfshiu Fazën I të garës kur tifozja me kurriz nga grupi i ciklistëve ngriti para tyre shenjën e saj ku ishte shkruar ‘Allez Opi Omi’ – e përkthyer si një përzierje gjermanishteje e frëngjishteje që do të thotë “Forca gjyshi, forca gjyshja”.
I pari që u përplas me pankartën ishte çiklisti gjerman Tony Martin dhe pas tij të paktën 50 çiklistë të tjerë u rrëzuan, nga të cilët 21 u plagosën dhe një prej tyre u detyrua të braktisë garën.
Prokurorët francezë të rajoni veriperëndimor Bretagne nisën dje një hetim kriminal ndaj tifozes autore të përplasjes.
Akuzat ndaj saj janë “shkelje e qëllimshme të rregullave të sigurisë gjatë një eventi sportiv” si dhe shkaktim lëndimesh që ndalojnë dikë të punojë deri në tre muaj.
Përplasja dramatike e të shtunës Tour de France, la 21 çiklistë të plagosur dhe solli skena kaosi në eventin e famshëm çiklistik.
Gilbert Versier mjek i turneut prej 11 vitesh, më parë oficer mjekësor ushtrie, tha: “Ishte si një skenë lufte, i njëjti kaos, të njëjtat rënkime, trupa përtokë gjithandej dhe makineri të ngatërruara me njëra-tjetrën”.
“Nuk mund të imagjinosh një dëm kaq të madh”.
Top Channel