Policia në kërkim të gruas që shkaktoi përplasjen masive në garën ‘Tour de France’ me pankartën personale (fotot)

29/06/2021 16:56

Policia franceze tha se sot nuk ka arritur ende të identifikojë gruan “e papërgjegjshme” që me pankartën e saj të shkruar në gjermanisht shkaktoi një përplasje masive e të frikshme të ciklistëve që garonin në ‘Tour de France’, duke shtuar se mund të jetë larguar nga vendi për t’i shpëtuar përgjegjësisë.

Një hetim policor po zhvillohet për vendimin e papërgjegjshëm të tifozes që me pankartën e saj doli thuajse në rrugë për t’i treguar kamerave mesazhin për familjen e saj, dhe shkaktoi pasoja shkatërrimtare për grupin garues të çiklistëve.

Përplasja e rëndë ndodhi në majë të kodrës Saint-Rivoal në qytezën franceze të Saint-Cadou, rreth 40 km larg qytetit Brest.

Mediat franceze thonë se spektatorja është me shumë gjasa gjermane prej gjuhës së përdorur në pankartë.

Kaosi i plotë përfshiu Fazën I të garës kur tifozja me kurriz nga grupi i ciklistëve ngriti para tyre shenjën e saj ku ishte shkruar ‘Allez Opi Omi’ – e përkthyer si një përzierje gjermanishteje e frëngjishteje që do të thotë “Forca gjyshi, forca gjyshja”.

I pari që u përplas me pankartën ishte çiklisti gjerman Tony Martin dhe pas tij të paktën 50 çiklistë të tjerë u rrëzuan, nga të cilët 21 u plagosën dhe një prej tyre u detyrua të braktisë garën.

Prokurorët francezë të rajoni veriperëndimor Bretagne nisën dje një hetim kriminal ndaj tifozes autore të përplasjes.

Akuzat ndaj saj janë “shkelje e qëllimshme të rregullave të sigurisë gjatë një eventi sportiv” si dhe shkaktim lëndimesh që ndalojnë dikë të punojë deri në tre muaj.

Përplasja dramatike e të shtunës  Tour de France, la 21 çiklistë të plagosur dhe solli skena kaosi në eventin e famshëm çiklistik.

Gilbert Versier mjek i turneut prej 11 vitesh, më parë oficer mjekësor ushtrie, tha: “Ishte si një skenë lufte, i njëjti kaos, të njëjtat rënkime, trupa përtokë gjithandej dhe makineri të ngatërruara me njëra-tjetrën”.

“Nuk mund të imagjinosh një dëm kaq të madh”.

FOTO GALERI
2/9
Policia franceze tha se sot nuk ka arritur ende të identifikojë gruan “e papërgjegjshme”

Top Channel