“Na pengoi të kryejmë detyrën”/ Efektivët e policisë kallëzojnë në Prokurori kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu. Nuk i la të shoqëronin pronarin e një hoteli

29/06/2021 13:07

Dy efektivë policie në Shëngjin kallëzuan në prokurori kryebashkiakun e Lezhës Pjerin Ndreun pasi sipas tyre i ka penguar të ushtrojnë detyrën gjatë patrullimit. 

Ilirjan Vokrri dhe Lekë Ndreca po bënin kontrolle për shkeljen e masave anticovid dhe pas orës 11 hynë në një lokal ku sipas denoncimit ndeshën në kundërshtimin e pronarit.  Në mbrojtje të tij sipas dy policëve ka dalë pikërisht kreu i bashkisë lezhë.

Punonjësit e patrullës kanë kallëzuar në prokurori pronarin e objektit për Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë por dhe shefin e komisariatit Lezhë, shefin e stacionit Shëngjin për Shpërdorim detyre dhe kryebashkiakun Pjerin Ndreu.

Në një reagim të Ndreut në rrjete sociale ai thotë se efektivët  kapërcyen kompetencat e tyre.

“Kallëzim penal nga policë barkderrë, që kapercejnë kompetencat dhe kryejne veprime në kundërshtim me ligjin?!

-Që ndërhyjnë në një darkë zyrtare me prezencen e 15 kryetarëve të komunave të Kosovës, me veprime të dhunshme, kur mund të shkruanin gjobën sipas ligjit që është detyra që duhet të bënin në këto raste!”

Ndreu thotë se lokale të tjera në zonë ishin hapur në atë kohë dhe se rrinë hapur çdo natë deri në orën 02. Ndërkohë edhe ndaj dy punonjësve të policisë ka nisur hetim disiplinor.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA