Mjaftoi një postim i tij në rrjetet sociale, për të shkaktuar reagime të forta.
“Sot nderojmë heronjtë e Vidovdan. Në këtë ditë në 1389, filloi beteja kundër Osmanëve në Kosovë. Sot është një ditë përkujtimore për Princin Llazar dhe dëshmorët e shenjtë serbë”, shkroi Richard Grenell me rastin e asaj që serbët e kanë kthyer në festë të rëndësishme të tyren-Betejën e Kosovës.
Megjithëse e cilësuar nga historia serbe si beteja e ushtrisë serbe ndaj pushtimit ottoman, ajo shënoi humbjen më të rëndë të popujve të Ballkanit, por serbët e kremtojnë si ditë të fitores shpirtërore. Postimi Grenellit solli fillimisht reagimin e fortë të analistit Enver Robelli, i cili e akuzoi në FB se po luan rolin e propagandistit serbomadh, që nuk merr vesh asgjë nga historia, por luan rolin e shërbëtorit të Aleksandar Vuçicit dhe manipuluesit të historisë.
Ndërkohë ka pasur përplasje personale edhe mes Grenellit dhe ish ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila e korrigjoi duke i treguar se kjo nuk ishte betejë e Serbisë por e të gjithë rajonit. Grenell nga ana e tij u përgjigj duke thënë se në Kosovë, të gjithë ofendohen shumë lehtë nga çdo gjë.
Top Channel