Granit Xhaka: Shkruam historinë, do të doja të mësoja italisht

29/06/2021 17:21

Granit Xhaka e festoi si i çmendur kualifikimin e Zvicrës në çerekfinale të Europianit.

Ulërimat e tij dhe përqafimet me shokët e skuadrës dhe trajnerin Petkovic tregojnë karakterin prej lideri të shqiptarit, që jo më kot mbante në krah shiritin e kapitenit. Pas ndeshjes ai deklaroi se me këtë kualifikim ai dhe shokët e skuadrës kishin shkruar historinë e përfaqësueses së Zvicrës. Fatkeqësisht, për shkak të kartonëve të marrë, Xhaka nuk do të mund të japë kontribut në sfidën ndaj Spanjës.

“Mendoj që kushdo mund të krenohet me ne, kemi shkruar historinë e Zvicrës. Ne rikuperuam kur po humbnim 3-1 kundër një ekipi shumë të fortë si Franca, tani do të luajmë në çerekfinale kundër Spanjës dhe jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”.

Mesfushorit shqiptar iu desh t’i përgjigjej edhe një pyetjeje mbi të ardhmen e tij, pasi javët e fundit është shkruar shumë për një transferim të mundshëm të Roma në Serinë A. 28-vjeçari la të kuptohet se është i hapur për kalimin te verdhekuqtë.

“Të shohim se si do të shkojnë gjërat, të gjithë e dinë se çfarë përfaqëson Roma, por tani unë jam lojtar i Arsenalit. Pas Kampionatit Europian do të filloj të mendoj për të ardhmen time. Është interesante të mësosh gjuhë të reja, kështu që nuk i dihet kurrë, në të ardhmen mund të mësoj italisht.”

 

Top Channel