Djegia e mbetjeve të lëndëve djegëse kërcënon një nga zonat e fundit të Tokës, ende të paprekur nga industritë nxjerrëse.
Edhe pse me nënshkrimin e traktatit të Antarktidës 60 vjet më parë u ra dakord që kontinenti i bardhë të mbetej larg luftrave, armëve dhe mbetjeve bërthamore dhe të mos i përkiste asnjë shteti duke u kthyer në rezervatin më të madh natyror në botë, sot edhe ai kërcënohet nga ndryshimet klimatike.
Rreth 90% e ujit të freskët sipërfaqësor të botës është ‘i kyçur’ në ‘Mburojën e Akullit të Antarktidës’ dhe ndërsa planeti ‘vlon’ nga rritja e temperaturave, akullnajat, zhbërja e të cilave do të përmbyste qytetet bregdetare nga Nju Jorku në Xhakartë, po shkrihen dhe po bëhen më pak të qendrueshme, thote DW.
Udhëheqësit botërorë janë zotuar të kufizojnë ngrohjen në shumë më pak se 2 gradë Celsius këtë shekull, por politikat e tyre aktuale do ta ngrohin botën me gati 3 Celsius, sipas grupit kërkimor ‘Climate Action Tracker’, me bazë në Gjermani. Një studim i botuar në revistën ‘Nature’ në maj të këtij viti zbuloi se një rritje globale e temperaturës prej 3 Celsisus do të çonte në një “kapërcim të menjëhershëm” në ritmin e humbjes së akullit në Antarktidë, e cila, nga ana tjetër, do të shkaktonte një rritje të shpejtë dhe të pandalshme të nivelit të detit.
Një studim i dytë, botuar në revistën ‘Science Advances’ në qershor, zbuloi se një masiv akulli që mbështetet tek akullnaja Pine Island (175,000 kilometra katrorë) po thërrmohet në ujë gjithnjë e më shpejt. Kjo akullnajë është përgjegjëse për më shumë se një të katërtën e kontributit të Antarktidës në rritjen globale të detit dhe do të shkrijë më shpejt nëse bie në kontakt me ujëra të ngrohtë.
Top Channel