Banka e Shqipërisë takim me shoqatën shqiptare të bankave, ja për çfarë diskutuan

29/06/2021 16:34

Ditën e sotme, në ambientet e Bankës Shqipërisë, u mbajt një takim diskutimi midis Bankës së Shqipërisë dhe Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Takimi u organizua me nismën dhe nën drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Të pranishëm ishin gjithashtu Zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatorja e dytë, NatashaAhmetaj, dhe drejtues të tjerë të Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit Drejtues të SHSHB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i OTPbank, Bledar Shella, anëtarët e tjerë të këtij Bordi, si dhe Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i SHSHB-së.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte intensifikimi i dialogut dhe bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, për çështje të lidhura veçanërisht me zhvillimet në sistemin financiar e bankar gjatë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Guvernatori vlerësoi sektorin bankar në veçanti për reagimin e duhur ndaj goditjes së pandemisë, i cili vijoi pa asnjë ndërprerje aktivitetin, duke financuar bizneset dhe familjet. Ai theksoi se, gjatë pandemisë, bankat kanë shfaqur angazhim maksimal dhe vullnet të mirë për të kontribuuar në krijimin e lehtësive lidhur me masat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare, si dhe luajtën një rol aktiv deri në kapërcimin e plotë të situatës.

Më tej, pjesëmarrësit vlerësuan se sistemi bankar në vend mbetet solid dhe me tregues shumë të mirë të shëndetit financiar, i gatshëm për të dhënë gjithë kontributin e nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike.

Ata diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional, në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale, me synim rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të.

Në vijim, takimi u fokusua në iniciativat e vazhdueshme të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, për të zhvilluar më tej tregun financiar dhe rritur transparencën në mbrojtje të interesave të publikut, duke përmirësuar kuadrin rregullativ në industrinë bankare,me fokus kredidhënien transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare. Konsultimi i vazhdueshëm dypalësh ka qenë gjithmonë pozitiv dhe i orientuar drejt forcimit të praktikave më të mira.

Bisedimet u përqendruan edhe te modernizimi i mëtejshëm i sistemit të pagesave, i cili luan një rol mjaft të rëndësishëm si në edukimin dhe përfshirjen financiare të popullsisë, ashtu dhe në rritjen e formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një masë shtesë në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave.

Në përfundim, Shoqata Shqiptare e Bankave falënderoi Bankën e Shqipërisë për këtë takim mjaft pozitiv dhe frytdhënës, duke e përshëndetur veçanërisht për mbështetjen e ofruar për sistemin bankar gjatë kësaj periudhe sfiduese.

Të dyja palët shprehën angazhimin e plotë për vijimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional, si dhe, me autoritetet qendrore dhe vendore, në funksion të një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

Top Channel