Mustaku gjigand tenton të hajë breshkën por mbytet, ngordhin të dy (fotot)

28/06/2021 18:10

Një peshk mustak me sa duket kishte “sytë më të mëdhenj se goja” pasi kishte tentuar të gëlltiste një breshkë më të madhe nga sa mund të hante, në një liqen të Göttingen në Gjermani.

Por breshka kishte luftuar kundër rivalit të saj të pazakontë dhe në fund kishin vdekur të dy, bashkë me peshkun 40 kilogramësh.

Peshkatarët kishin nxjerrë nga uji peshkun 1.50 metra të gjatë nga liqeni i Göttingen Kiessee, teksa pjesa e pasme e breshkës dukej ende brenda gojës së mustakut predator, që fillimisht ishte ende gjallë.

“Por ai nuk mund të shpëtohej më, dhe nuk do të kishte mbijetuar”, thotë peshkatari Marc Stemmwedel i klubit të amatorëve Sportangelklub Göttingen eV.

Një shëtitës me kanoe kishte thënë për të përditshmen lokale “Göttinger Tagesblatt” se kishte parë këmbët e një breshke që dilnin nga goja e një peshku më madh pranë bregut, dhe më vonë pa që kafsha ishte e bllokuar në gojën e hapur të peshkut. Ky i fundit tentonte më kot të çlirohej me disa lëvizje instinktive.

“U përpoqa të nxjerr breshkën nga goja e tij, por më kot”, tha dëshmitari.

Breshka me këmbët jashtë gojës së mustakut, kishte dëmtuar rëndë velëzat e peshkut dhe peshkatarët thanë se kishin vrarë atë për t’i evituar vuajtjet. Peshku rreth 40 kg ishte dërguar për riciklim dhe nuk kishte përfunduar në mbeturina, siguroi Stemmwedel. Mishi i peshqve mustakë është i vlerësuar si ushqim.

FOTO GALERI
1/3
Një peshk mustak që me sa duket kishte “sytë më të mëdhenj se goja” pasi kishte tentuar të gëlltiste një breshkë më të madhe nga sa mund të hante

Top Channel