Parlamenti i Danimarkës miratoi unanimisht marrëveshjen trepalëshe të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe Groenlandën, duke i hapur rrugën ngritjes së bazave të tjera ushtarake amerikane në ishullin strategjik të Arktikut.
Marrëveshja u votua me 109 vota pro dhe asnjë kundër, pas disa muajsh tensionesh diplomatike të shkaktuara nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar vazhdimisht që Groenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Dokumenti, i dakordësuar mes Trump dhe drejtuesve danezë e groenlandezë, synon forcimin e sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut, rajone me rëndësi gjithnjë e më të madhe strategjike.
Sipas marrëveshjes, Uashingtoni do të mund të zgjerojë praninë ushtarake në Groenlandë, por pa ndryshuar sovranitetin e ishullit, i cili mbetet nën kontrollin e Danimarkës dhe gëzon vetëqeverisje të gjerë.
Parlamenti i Groenlandës e kishte miratuar më herët marrëveshjen, gjithashtu pa asnjë votë kundër. Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi pas përfundimit të procedurave përkatëse nga Danimarka dhe Groenlanda.
Ajo parashikon se dispozitat e sigurisë do të vazhdojnë të zbatohen edhe nëse Groenlanda vendos në të ardhmen të shpallë pavarësinë.
Top Channel