Moskë/ Në kafene dhe restorante klientët nuk futen dot pa qenë të vaksinuar ose…

28/06/2021 16:51

Nga sot, klientët në kafene, bare ose restorante në Moskë, pas kufizimeve të reja të vendosura nga kryetari i bashkisë dhe qeveria e Moskës, do të duhet të paraqesin një certifikatë të vaksinimi, imuniteti ose testit molekular negativ.

Kufizimet e reja u vendosën pas shpërthimit të rasteve dhe vdekjeve të regjistruara javën e kaluar për shkak të koronavirusit.

“Situata në Moskë me shpërthimin e koronavirusit mbetet jashtëzakonisht e vështirë”, tha sot Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, duke theksuar se një numër rekord i pranimeve në spital dhe një numër rekord i vdekjeve të koronavirusit ishin regjistruar gjatë javës së kaluar.

Sipas kufizimeve, klientëve u kërkohet të tregojnë në restorante kodin e identifikimit që do të kenë në celularin e tyre, i cili do të konfirmojë se janë vaksinuar, janë sëmurë dhe kanë fituar imunitet ose se kanë një test negativ të koronavirusit.

Ndërsa hotelieria do të jetë në gjendje t’i shërbejë klientëve, pa kod identifikimi, nëse kanë ambiente të jashtme dhe tarraca në natyrë, por deri më 12 korrik.

Kryetari i Moskës tha se për shkak të këtyre masave kufizuese në lidhje me restorantet, regjistrimet për vaksinim arritën deri në 86,000 në ditë dhe vijoi duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

Ai tha: “Kemi të bëjmë me një variant të ri të llojit të koronavirus i cili transmetohet më lehtë dhe është shumë vdekjeprurës”.

Sipas shifrave zyrtare, 124 vdekje nga covid-19 u regjistruan në 24 orët e fundit në Moskë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA