Të hënën Kancelarja gjermane Angela Merkel i doli sërish në mbrojtje propozimit për një takim të nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Ajo tha se kjo do të është mënyra më e mirë për të trajtuar çështjet rajonale. Deklarata vjen disa ditë pasi udhëheqësit e tjerë evropianë refuzuan në Bruksel një propozim të saj dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, për një samit të kësaj natyre.
Udhëheqësit e Evropës Lindore, veçanërisht ato vende që ndajnë kufirin me Rusinë, thanë se një takim i tillë do të shpërblente Vladimir Putinin për sjelljet agresive të kohëve të fundit të Rusisë, sikurse sulmet kibernetike apo dislokimin e trupave në kufirin me Ukrainën.
Megjithatë krerët e BE-se ranë dakord të përcaktojnë udhëzimet dhe kushtet për një samit të ardhshëm.
Por duke folur të hënën, gjatë një takimi virtual mes parlamenteve franceze e gjermane, zonja Merkel tha se është më mirë për udhëheqësit e Bashkimit Evropian që të flasin drejtpërdrejt me presidentin rus, sesa t’i diskutojnë problemet mes njëri-tjetrin.
“Për momentin marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian nuk janë vërtet të mira, por edhe gjatë Luftës së Ftohtë, njerëzit bisedonin me njëri-tjetrin”, tha zonja Merkel. “Ndaj mendoj se heshtja nuk është e favorshme për zgjidhjen e problemeve”, shtoi ajo.
Kancelarja gjermane tha se diskutimet rreth mënyrës se si mund të zhvillohen takimet e ardhshme të nivelit të lartë ishin të dobishme dhe se e kishin sjellë BE-në një hap më pranë mbajtjes së një samiti me zotin Putin.
Zonja Merkel përmendi samitin mes Presidentit amerikan Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin në fillim të këtij muaji, duke shtuar se përballja me Rusinë mund të rezultojë në bashkëpunim për disa çështje.
Javën e kaluar zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se “Presidenti Putin ishte dhe mbetet i interesuar për një marrëdhënie pune mes Moskës dhe Brukselit”./VOA/
Top Channel