Gjigandi i shitjeve online Amazon shkatërron çdo vit miliona artikuj të pashitur, megjithse të reja e të papërdorura, zbulohet së fundmi në pamjet shokuese të një programi investigativ në Britani.
Pamjet e filmuara fshehtësisht nga rrjeti ITV News tregonin shpërdorim të nivele të frikshme, dhe kjo në vetëm një nga 24 magazinat e saj në Britani.
Pamjet e kamerave të fshehta në impjantin britanik të Amazon në Dunfermline tregonin sesi televizorë të rinj, laptopë, drone, tharëse flokësh, kufje të tipeve të fundit, kompjuterë, libra apo maska, vendoseshin në kuti të posaçme ku shkruhej “për të shkatërruar”.
Produkte të pashitura ose të kthyera nga klientët, mund të shpërndahen në grupe bamirësie apo për njerëzit në nevojë. Por në realitet ato ngarkohen në kosha gjigandë dhe merren me kamionë për t’u flakur në qendra riciklimi ose më keq, në landfille.
Amazon justifikohej me rrjetin ITV News se edhe landfilli kishte pikën e tij të riciklimit por masa e shkatërrimit të objekteve të reja ishte e pabesueshme.
Një nga punonjësit e impjantit, tha në kushte anonimati: “Për një javë, objektivi ynë është të shkatërrojmë 130,000 artikuj. Nuk di asnjë llogjikë për objektet që shkatërrohen këtu: fshesa me korent, kompjutera MacBook apo iPad; një ditë më parë kam shkatërruar 20,000 maska fytyre Covid ende në ambalazhin e tyre”.
“Më shumë se gjysma e artikujve janë ende në ambalazhin e tyre, pjesa tjetër janë të kthyera por në gjendej të re. Stafi këtu shokohet nga gjërat e duhet të bëjë”.
Një dokument i impjanti të Dunfermline tregonte se brenda një jave 124,000 artikuj ishin shënuar “për të shkatërruar”, në një kohë kur vetëm 28,000 artikuj ishin etiketuar për “donacione”.
Përgjigja për këtë model absurd biznesi është se shumë kompani shitjesh vendosin të magazinojnë artikujt e tyre në depot e Amazon por sa më shumë që ato qëndrojnë pa u shitur, aq më shumë rriten kostot e magazinimit dhe rrjedhimisht kompanive u kushton më pak t’i flakin artikujt sesa të vazhdojnë magazinimin.
Sam Chetan Welsh përfaqësues i grupit ambjantalist Greenpeace tha: “Janë mbetje të panevojshme, të paimagjinueshme. Artikuj që nuk janë përdorur asnjëherë, direkt nga prodhimi në koshin e plehrave, një kulturë e tmerrshme flakjeje nga Amazon, për të cilën qeveria duhet të ndërhyjë”.
Top Channel