Hakimi “pret biletën” për në Paris, Inter gjen në Londër zëvendësuesin e tij

28/06/2021 16:16

Me Achraf Hakimin që është vetëm një hap larg firmës me Paris Saint Germain, te Interi kanë nisur punën për të gjetur pasuesin e marokenit dhe emri në krye të listës është spanjolli i Arsenalit, Hector Bellerin.

I rritur në skuadrat e moshave të klubit londinez, 26-vjeçari ka humbur vendin e titullarit së fundi nën drejtimin e Mikel Artetës dhe është në kërkim të një tjetër skuadre për t’u rikthyer në nivelet e tij më të larta.

“Topçinjtë” janë gati të heqin dorë nga Bellerin, por duan në këmbim 20 milionë euro, shifër që te Interi nuk janë gati ta paguajnë menjëherë, ndaj Marotta ka propozuar një huazim me të drejtë blerjeje, në varësi edhe të performancës së spanjollit.

Drejtuesit e Arsenalit janë në pritje të ofertave dhe nëse nuk arrijnë ta shesin, atëherë mund të pranojnë ofertën e Interit për huazim, ndërsa zikaltrit kanë edhe alternativa të tjera, nëse nuk do të arrijnë të marrin spanjollin.

I pari është italiani Manuel Lazzari, që pëlqehet shumë edhe nga Inzaghi, pasi kanë punuar të dy për dy sezone te Lazio, por negociatat me këta të fundit janë shumë të vështira, ndaj në Milano nuk janë shumë optimistë për këtë transferim.

Emri tjetër për krahun e djathtë është ai i Davide Zapacostës, futbollist në pronësi të Chelsea-t, që këtë sezon ka qenë në huazim te Genoa. Italiani mund të luajë në të dy krahët në skemën 3-5-2, ndaj te Interi do të provojnë ta afrojnë në huazim, për ta pasur si një alternativë të vlefshme gjatë sezonit.

Top Channel