Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes u shpreh se vendi i saj “mbetet i zhgënjyer nga fakti që vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk qenë në gjendje të nisnin negociatat me Maqedoninë e Veriut në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme”.
“Pavarësisht kësaj, nuk ka dyshim se vendi e ka bërë punën që kërkohej prej tij për çeljen e bisedimeve“, shtoi ajo.
Duke folur në Bruksel ne margjinat e samitit të BE-së, presidenti bullgar Rumen Radev u shpreh se Sofia “është e hapur për dialog konstruktiv”.
“Por ne nuk do të lejojmë që për ne të vendosin lobingjet, media dhe presioni politik. Është koha që ta kuptojnë të gjithë se perspektiva europiane e fqinjit tonë më të afërt do të varet nga angazhimi i tij dhe rezultatet e dialogut me Bullgarinë. Nuk mund të themi po përpara se të shohim disa mekanizma të qëndrueshëm për çrrënjosjen e narrativës së shtrembëruar dhe sjelljeve negative kundrejt Bullgarisë në tekstet e shkollave, muzetë, monumenteve, medias e politikave shtetërore. Ne nuk mund të themi ‘po’ derisa të bindemi se fqinjët tanë nuk do ta ndërtojnë identitetin e tyre mbi vjedhjen e historisë bullgare”, deklaroi Radev.
Më herët si kryeministri Edi Rama, ashtu dhe homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev shprehën zhgënjim nga vendimi i BE-së. Kyi fundit e quajti “një dëshpërim i madh për ne, por edhe një mos sukses i politikës së Bashkimit Europian” ndërsa tha se bllokimi nga Bullgaria nuk është vlerë europiane.
Top Channel