PSG fiton garën për Hakimin, pranon të paguajë 65 milionë euro

26/06/2021 17:10

Largimi i Hakimit nga Interi nisi të përflitej që në çastin kur drejtuesit e klubit deklaruan se do të duhej të zeronin një bilanc negativ prej 100 milionë eurosh, çka do të thoshte se një prej lojtarëve kryesorë do të duhej të largohej dhe kështu do të ndodhë sepse duket se është arritur marrëveshja për kalimin e marokenit tek PSG.

Prej javësh spekulohet transferimi i tij tek PSG, në një kohë që edhe Chelsea kampion i Europës po bënte të pamundurën për ta afruar në Londër, megjithatë, sipas medieve ndërkombëtare blutë e kanë humbur tanimë betejën me parizienët. 65 milionë euro do të kalojnë në llogarinë e Interit. Chelsea ka vendosur të tërhiqet, pasi oferta prej 55 milionë eurosh, plus Alonson, nuk u pranua, në një kohë që francezët janë gati të depozitojnë menjëherë 65 milionë. Zyrtarizimi pritet të vijë brenda 10 ditëve.

Aq i sigurt është largimi i Hakimit sa Interi ka nisur punën për të gjetur zëvendësuesin, ku emrat që kanë dalë mbi sipërfaqe janë ato të Lazzarit, Bellerin por edhe Zappacostës. Nuk do të jetë e thjeshtë të zëvendësohet një futbollist, i cili në sezonin e titullit shënoi 7 gola dhe dhuroi 10 asiste në kampionat, por, me sa, duket drejtuesit nuk kanë zgjidhje tjetër për të rregulluar bilancet.

Top Channel