Mbyllet deri më 3 korrik dogana e Kapshticës, nuk lejohet dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë

26/06/2021 16:16

Dogana e Kapshticës do të jetë e mbyllur deri më 3 korrik për shkak të situatës nga Covid-19.

Situata jo e mirë nga pandemia e covid 19 në Greqi ka çuar në shtyrjen e afatit të mbylljes nga ana e palës greke të Doganës së Kristalopigi.

Nisur nga njoftimi zyrtar i Autoriteteve të Policisë Greke në PKK Kristalopigi, është njoftuar shtyrja e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 3.7.2021.

Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur. Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash).

Sipas autoriteteve greke, lejohet kalimi për 400 persona në ditë, bëhet fjalë vetëm për punëtorët sezonale me leje pune nga autoritetet greke, dhe për asnjë shtetas si europian ashtu edhe shqipetar.

Mjetet si autobusa, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojnë. Ndërkohë vijon puna normalisht në Doganën e Kakavijës.

Top Channel