Qeveria e Kosovës mbështet blerjen e dronëve amerikanë

25/06/2021 17:07

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten më 25 qershor ka shqyrtuar propozimin për blerjen e dronëve nga Shtetet e Bashkuara për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Propozimi është bërë nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i cili i tha kabinetit qeveritar se blerja e katër dronëve amerikanë bëhet për nevoja të ngritjes së kapaciteteve për inteligjencë, vëzhgim dhe zbulim.

Ministria e Mbrojtjes e SHBA-së, sipas ministrit Mehaj e ka miratuar shitjen e këtij sistemi përmes procesit të blerjeve së jashtme ushtarake dhe se i gjithë projekti, përfshirë mjetet përcjellëse, kushton në vlerë 11.9 milionë euro dhe që mund të paguhet përmes dy kësteve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është dakord me propozimin.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se propozimi i Ministrit të Mbrojtjes mund ta marrë që në këtë mbledhje zotimin e qeverisë, mirëpo në mbledhjen e ardhshme mund të miratohet ndarja e mjeteve buxhetore.

“Nëse kabineti është i pajtimit kjo mund të përfshihet dhe mund të marrim një vendim në mbledhjen e ardhshme të qeverisë mund ta prezantojmë si kërkesë dhe të ndajmë mjete. Zotimin e qeverisë mund ta marrë që tani”, tha Murati.

Kërkesa për blerjen e armatimit amerikan, u bë në kuadër të rishikimit të buxhetit të vendit të cilin e miratoi Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtes. Buxheti i rishikuar arrin vlerën e 2.5 miliardë eurove.

Kundër këtij propozimi doli ministri për Kthim dhe Komunitete njëherësh udhëheqës i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ai tha se blerja e këtij sistemi është e papranueshme në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e COVID-19, papunësi dhe nevoja të mëdha ekonomike.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe është nën ndikimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më 2018, përmes ndryshimeve ligjore ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura.

Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Vitin e kaluar Kosova ka pranuar një kontingjent me automjete të blinduara të blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për FSK-në.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.

Me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë./rel

Top Channel