Izraeli riktheu kërkesën për të veshur maska në ambiente të mbyllura, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
Shqetësimet u rritën pasi autoritetet shëndetësore regjistruan më shumë se 100 raste të reja ditore në disa ditë të njëpasnjëshme.
Shumica e tyre lidhen me variantin Delta dhe thuhet se janë importuar nga jashtë.
Izraeli është një nga vendet më të suksesshme në botë sa i përket trajtimit të pandemisë.
Ai ka zbatuar programin më të shpejtë të vaksinimit, duke imunizuar pjesërisht ose plotësisht më shumë se gjysmën e popullsisë.
Por, dhjetë ditë pas heqjes së detyrimit për maska, udhëheqësi i trajtimit të pandemisë në Izrael, Nachman Ash, tha se qytetarët duhet t’i veshin sërish ato në ambiente të mbyllura, për të frenuar rritjen e numrit të rasteve me koronavirus.
“Po shohim dyfishim [të rasteve] ditë pas dite”, tha Ash.
“Një tjetër gjë që është shqetësuese, është se infeksionet po përhapen”, shtoi ai.
Izraeli shtyu për një muaj edhe rihapjen e vendit për turistët e vaksinuar.
Top Channel