Mijëra grekë kanë vërshuar në plazhet pranë Athinës, gjate ditës së premte, ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten.
Temperaturat duket se do të prekin 43 gradë Celcius në zonat qendrore të vendit këtë fundjavë, në valën e parë të të nxehtit që përballon sivjet Greqia.
Të premten në mesditë, termometri ka shënuar 40 gradë në Trikala, Kalabaka,Tebe, Livadhia dhe Korfuz, ndërsa në Konitse dhe Kefaloni 39 gradë.
Autoritetet në Athinë kanë përgatitur salla te posaçme me ajër të kondicionuar për qytetarët, ndërsa edhe për të pastrehët do të ketë salla të tjera me ushqim e ujë të freskët. Masa të ngjashme për këtë fundjavë dhe fillimin e javës tjetër, janë marrë edhe në qytetet e tjera të vendit.
Gjithashtu Ministria e Punës deklaroi se oraret e punës mund të ndryshohen për sektorë të ndryshëm të prekshëm nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta, përfshirë ndërtimin dhe bujqësinë.
Vala e motit të nxehtë po godet vendin vetëm disa orë pasi qeveria greke anuloi mbajtjen e maskave në ambientet e jashtme, ndërsa vihet re një mbingarkesë e akseve rrugore për shkak se shumica e qytetarëve iu është drejtuar plazheve.
Shërbimi sinoptik kombëtar parashikon që pas kësaj fundjave të zjarrtë, pritet një ulje e përkohshme me dy- tre grade të hënën dhe të martën, ndërsa nga mesi i javës tjetër, pritet vala e dytë e motit të nxehtë, ku përsëri shumica e vendit do të regjstrojë temperatura mbi 40 gradë.
Top Channel