Bllokohet në Vorë makina që po transportohet fidanë kanabisi, si i shpëtoi policisë bashkëpunëtori pasi u hodh nga dritarja

25/06/2021 13:52

Një makinë që po transportonte fidanë kanabisi është ndaluar në Vorë, Tiranë.  Policia njofton se mjeti po transportonte kubikë të kultivuar me fara cannabis sativa.

Si rezultat në pranga është vënë drejtuesi i mjetit, si dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.

“Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe është munduar të devijojë nga rruga, por pas ndjekjes është bllokuar nga Policia Rrugore. 

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në bagazhin e këtij mjeti, kubikë të kultivuar me fara kanabisi.

Gjatë tentativës për t’iu shmangur shërbimeve të Policisë, pasagjeri është hedhur nga automjeti dhe ka mundur të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia.

Ndërsa drejtuesi i automjetit, shtetasi E. D. është kapur gjatë ndjekjes nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 30 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit A. K., 29 vjeç”, njofton policia.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel