Gjykata Kushtetuese bëri një shmangie të papritur një ditë më parë, duke kërkuar sërish opinion për çështjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 Komisionit të Venecias.
Shtatë anëtarët e kushtetueses do të presin mendim për legjitimitetin ose jo të zgjedhjeve lokale, (që u zhvilluan pa praninë e Partisë Demokratike dy vite më parë) nga Komisioni i Venecias.
Analistët Ilir Yzeiri dhe Enton Abilekaj argumentojnë këtë zhvillim të Gjykatës Kushtetuese.
Yzeiri thotë se “duhet ta mirëkuptojmë gjykatën dhe t’i japim besim”.
“Kemi kaluar një fortunë të madhe politike, me institucione që janë shpërbërë dhe janë ribërë nga fillimi. Këto institucione kanë qenë në presion të madh politik. Pavarësisht se ky vendim është më dritëhije, pasi ky komision është shprehur njëherë për zgjedhjet e 30 qershorit.
Duket sikur Gjykata jonë Kushtetuese është gjendur në presion, ndoshta nga anëtarët e saj, të cilët janë propozuar nga forca të ndryshme politike dhe janë në të drejtën e tyre të kenë këto lloj trysnie”.
Ndërsa Abilekaj shprehet se “nuk ka çfarë të diskutohet më në Venecia” dhe se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të marrin vetë një vendim”.
“Nuk është në integritetin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, çfarë do të sqarojnë në Venecia? A do ta sqarojë Venecia se cila datë zgjedhjesh vlen, e para apo e dyta?! Është një opinion që ia kemi marrë një herë Venecias.
Ata duhet të merrnin një vendim. Pasi ata zgjidhen anëtar të Gjykatës Kushtetuese, nga cilado forcë politike propozohen, ata duhet të harrojnë nga kush janë sjellë aty. Nuk mund të punojnë më për ata me të cilët kanë pasur lidhje më parë. Duhet të vendosin sot në bazë të kushtetutës. Dhe këtë ata duken se e paskan të vështirë ta bëjnë”.
Por, sipas Yzeirit edhe në vende të tjera të botës, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vijnë nga institucione të tjera politike në vend.
“Në çdo vend të botës, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë pushtet ekskluziv, nuk zgjidhen nga hiçi. Këtë radhë, reforma në drejtësi ka futur në lojë tre institucione. E dimë ngërçin që pati, ndenjëm vite të tëra pa Gjykatë Kushtetuese.
Mesa duket, një pjesë e tyre nuk e kanë staturën e juristit hijerëndë, që të mos pyesë, por të marrë vendime ashtu siç ia dikton ligji”.
Megjithatë thotë se “më mirë në këtë situatë, se sa në gjendjen kur nuk kishim Gjykatë Kushtetuese”.
Nga ana tjetër, Abilekaj ironizon vendimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe shton se “ne e kemi bërë Venecian si gjykatë shqiptare”.
Top Channel