Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka prezantuar në Kuvend raportin për vitin 2020 të këtij institucioni. Ndër të tjera Celibashi i është përgjigjur edhe disa pyetjeve që i janë bërë nga deputetët, por për periudhën e punës së KQZ gjatë 2021.
I pyetur se përse emigrantët nuk patën mundësinë të votonin në zgjedhjet e 25 prillit, Celibashi teksa e quajti dështim të KQZ u shpreh se koha ishte shumë e shkurtër për të përgatitur strukturën, si dhe ndikoi mungesa e konsensusit të gjithë faktorit politik mbi rregullat që duhet të miratonte KQZ.
“Kodi ka parashikime në lidhje me votën e emigrantëve për të votuar atje ku kanë vendbanimin e përhershëm jashtë RSH. Koha ishte shumë e shkurtër për ta përgatitur këtë set rregullash dhe kjo ndikoi në atë që mund ta quajmë dështimin e KQZ që edhe për zgjedhjet e 25 prillit qytetarët jashtë vendit të mos votonin. Ishte çështje kohe dhe e mungesës së konsensusit të gjithë faktorit politik mbi rregullat që duhet të miratonte KQZ”, tha Celibashi.
I pyetur për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 25 prillit, Celibashi deklaroi se për këtë gjë ka folur Gjykata, duke i certifikuar zgjedhjet dhe vendimet e saj nuk mund të komentohen.
“Nuk mund të them më shumë sesa vendimet e KQZ kanë thënë në lidhje me kërkesat dhe ankesat e subjekteve në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. Ky proces nga pikëpamja ligjore konsiderohet i përfunduar sepse edhe Gjykata është shprehur dhe mendoj që nuk do të kishte as ndonjë vlerë diskutimi vendimi i Gjykatës”, përfundoi Celibashi.
Top Channel