Pogradec/ Punëtori u rrëzua nga ndërtesa ku punonte dhe u dërgua me helikopter në Tiranë, arrestohet pronari

24/06/2021 09:19
Foto ilustruese

Pronari i banesës, në të cilën u dëmtua dje gjatë punës punëtori ka rënë në prangat e policisë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë.”

58-vjeçari po punonte në një ndërtesë në fshatin Hudënisht të Pogradecit ikur u rrëzua nga lartësia dhe mori dëmtime në kokë. Ai u dërgua me helikopter drejt Tiranës për të marrë trajtim të specializuar dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës.

“Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Hudënisht, Pogradec, ku gjatë punës u dëmtua shtetasi R. L., 58 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. P., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë punimeve në banesën e tij (e pajisur me leje ndërtimi dhe dokumentacion të rregullt) është rrëzuar nga shkallët 58-vjeçari, i cili mori dëmtime në kokë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Top Channel