Shqiptarët duket se i përqafuan herët mendimet e së majtë, pavarësisht se 47 vitet në komunizëm bënë të besonin se PPSH ishte e vetmja alternative.
Në fakt ka mendime përtej të majtës staliniste, të cilat u detyruan të heshtnin pothuajse përgjithmonë. Shumica e këtyre figurave që folën për një të majtë ndryshe u dënuan. E Majta, është një botim që sillet nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert së bashku me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, që na sjell biografinë e disa prej këtyre personazheve.
Sonila Boci: Vendosëm që do të merrnim atë të majtë për të cilën është folur shumë pak. Që nuk është staliniste.
Edon Qesari: Universi politik i viteve 30, 40 dhe disi më vonë në Shqipëri nuk ka qenë kaq i ngurtësuar dhe kaq bardh e zi.
Sejfulla Malëshova, Musine Kokalari, Skënder Luarasi, Petro Marko etj janë disa nga personazhet që janë pjesë e studimit të së majtës pluraliste, që përfshin të majtën trockistë, socialiste, socialdemokrate, romantike etj.
Sonila Boci: Këta personazhe ndonëse i takojnë të majtës, duke u parë nga këndvështrimi i një të majte ekstreme, asaj komuniste, janë etiketuar si personazhe të së djathtës, një prej të cilave dhe Musine Kokalari.
Edon Qesari: Petro Marko është një personazh, i cili në kulmin e rinisë së vet është pjesëmarrës në jetën kulturore të Shqipërisë dhe më pas e dimë që do të ketë një jetë aspak të begatë.
Pas instalimit të sistemit ngjyrat u shuan dhe është e vështirë të flasësh për mendimin politik të së majtës në totalitarizëm.
Sonila Boci: Duke u nisur nga jetë të veçanta të dhjetë personazheve të ndryshme mund të arrish në disa konkluzione që lidhen me të majtën si të tërë.
Top Channel