Dy viktima dhe 14 raste të reja me koronavirus u raportuan të enjten në Kosovë. Të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës tregojnë se të dyja viktimat u regjistruan në Komunën e Prizrenit.

Sipas IKSHPK-së, rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 1,764 mostrave. Në 24-orëshin paraprak thuhet se u shëruan gjashtë pacientë.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive në Kosovë arrin në 107,707, i viktimave në 2,256 dhe i të shëruarve në 105,280.

Aktualisht, raste aktive me koronavirus janë 171. Procesi i vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars.

Deri të enjten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë dhënë 149,121 vaksina. Të vaksinuar me dy doza janë 25,158 qytetarë.

Vaksinimi po bëhet me doza të dhuruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga Bashkimi Evropian dhe shtete individuale.

Në muajin maj, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka nënshkruar kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 1 milion dozave, por nuk është ende e qartë se kur do të arrijnë ato në Kosovë./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA