Britania ndalon reklamat televizive, online të ushqimeve të pashëndetshme para orës 21.00

24/06/2021 21:53

Megjithë masën e re aktivistët thonë se ajo ka shumë përjashtime që ulin ndikimin ndaj niveleve të obesitetit në rritje.

Qeveria britanike do të kufizojë reklamat televizive dhe ‘online’ të ushqimeve të pashëndetshme ose siç njihen në Britani “junk food” (ushqim plehrë) por planet përsëri po kritikohen nga aktivistët që thonë se në to ka shumë përjashtime që dëmtojnë ndikimin ndaj niveleve të obesitetit në rritje në vend.

Rregullat e reja që u njoftuan sot hyjnë në fuqi në fillim të vitit që vjen dhe prekin ushqime që konsiderohen me nivel të lartë yndyrnash, kripërash e sheqeri, të cilat nuk do të mund të transmetohen para orës 09.00 të darkës, duke përfshirë dhe reklamat në Facebook e Google.

Por qeveria ka lejuar përjashtime të shumta, sic janë ato që lejojnë kompanitë të shfaqin reklamat në faqet e tyre dhe në llogaritë e mediave sociale. Ndërkohë kufizimet prekin vetëm kompanitë e mëdha dhe jo ato me më pak se 250 punonjës.

Disa ushqime që nuk konsiderohen të pashëndetshme do të lejohen në reklama, ashtu si dhe pijet pa sheqer të këtyre kompanive.

Aktivisët ankohen se emrat e kompanive do të vazhdojnë të reklamohen në televizion e online në rast se nuk përmenden produktet problematike të tyre.

Mbrojtesit e ushqimit të shëndetshëm mirëpritën shtrëngimin e rregullave në përgjithësi, por shprehën shqetësime për emrat e mëdhenj të industrive të ushqimit të shpejtë si McDonalds që po lejohen të kenë përsëri prezencë të gjerë para klientëve.

“Propozimet përfaqësojnë një avancim të madh mbi reduktimin e ekspozimit ndaj ushqimeve të shumta  të pashëndetshme në televizion e online,” tha Barbara Crowther, koordinatore e OJQ-së’ Children’s Food Campaign’.

“Por mbetemi të shqetësuar pasi ato përsëri lejojnë grupet multinacionale të ushqimi të shpejtë të reklamojnë veten e tyre.”

Dr Petra Hanson, studiuese e shkollës mjekësore ‘Warwick Medical School’, tha se qeveria duhet të vendosë ndalim te plote ndaj ushqimeve të dëmshme nëse kërkon të reduktojë obesitetin në Britani.

“Jam e shqetësuar për ekzpozimin e fëmijëve ndaj reklamave të ushqimeve të këqija. Ndërsa nga ana tjetër edhe të rinjtë do të vazhdojnë të shikojnë këto reklama pas orës 21-00, dhe do të vazhdojnë zakonet e këqja të ushqimit edhe në moshë të rritur”.

Llogaritet se kompanitë e mëdha shpenzojnë rreth 400 milionë paundë në vit me këto reklama dhe reduktimi i tyre sipas planeve, do t’i kushtonte televizioneve humbjen e rreth 200 milionë paunde të ardhura.

Zhvillimi lindi si ide pas shtrimit të kryeministrit Boris Johnson në spital prillin që shkoi, për çka ai fajësonte vetë problemet e tij me mbipeshën./TheGuardian/pergatiti Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/3
Zhvillimi lindi si ide pas shtrimit të kryeminsitrit Boris Johnson në spital prillin që shkoi, për çka ai fajësonte vetë problemet e tij me mbipeshën

Top Channel