Ashtu siç kishte paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar në fund të vitit të kaluar, Shqipëria po bëhet gati të dalë në tregjet ndërkombëtare për marrjen e një Eurobondi të ri prej 500 milionë euro.
Financat kanë nisur punën për kërkimin e një konsulenti ligjor që do të udhëheqë qeverinë në realizimin e këtij operacioni, i pesti për Shqipërinë i këtij lloji.
Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, propozohet që operatorët që do të shfaqin interes për konsulentë ligjorë që do të asistojnë dhe këshillojnë ekzekutivin duhet të kenë edhe ekspertizë në ligjin anglez dhe atë federal të letrave me vlerë ccka lë të kuptohet se euro nuk është monedha e vetme me të cilën mund të emetohet eurobondi i ardhshëm.
Një vit më parë qeveria emetoi eurobondin e katërt me vlerë 650 milionë euro, ku 450 milionë euro do të shkonin për shlyerjen e borxhit të vjetër, ndërsa pjesa tjetër për të mbuluar nevojat e pandemisë Covid-19.
Dalja në tregjet ndërkombëtare për të kërkuar borxh vjen në një moment kur globi po përballet me një krizë të thellë si pasojë e pandemisë dhe kërkesa për financime do të rritej ndjeshëm, ccka mund të vështirësonte kushtet për marrjen e tij me interesa më të favorshme.
Edhe pse treguesit kryesorë të ekonomisë kanë shfaqur një përmirësim në raport me një vit më parë dhe qeveria është zotuar të ulë nivelin e borxhit publik, kjo e fundit duket gjithnjë e më e vështirë në kushtet kur vendi po bëhet gati të marrë një hua të re.
Top Channel