Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 27-vjeçar, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Armando Baboçit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 18 shator 2020 dhe si pasojë e të shtënave u plagosën edhe dy persona të tjerë, pas një sherri të çastit në mjediset e një lokali.
“I arrestuari është A. B., 27 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se është i përfshirë në ngjarjen e ndodhur më datë 18.09.2020, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ku pas një konflikti të çastit me mjete të forta dhe më pas me armë zjarri mbetën të plagosur shtetasit E. Gj., 19 vjeç, H. T., 23 vjeç dhe shtetasi A. B. (Gj)., 39 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në Spitalin Rajonal Durrës”, njofton policia.
27-vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel