Më shumë se 50% e trupave amerikane janë tërhequr nga Afganistani, por vendi është përfshirë nga dhuna, ndërsa Talibanët vazhdojnë të zgjerojnë territorin e tyre.
Këto zhvillime ndodhin ndërsa Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me presidentin afgan këtë javë. Korrespondenjta e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti njofton nga Shtëpia e Bardhë.
Të shtënat me armë dëgjohen në distancë, ndërsa Talibanët marrin nën kontroll provincën e Konduzit në veri të Afganistanit pranë kufirit me Taxhikistanin.
“Situata në Kunduz është shumë e rëndë. Nuk ka siguri. Ka shumë të plagosur në spital“, thotë Abdul Rahim, banor Zaa Khail.
Talibanët po zgjerojnë territorin e tyre ndërsa trupat amerikane po largohen, me një afat të prerë deri në shtator. Deri më tani, kryengritësit kanë pushtuar 60 rrethe.
Kjo ishte temë debati të martën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, raporton VOA.
“Shumica e zonave të kapura ndodhen rreth kryeqyteteve provinciale, që mund të jetë një shenjë se Talibanët janë duke u pozicionuar për të marrë nën kontroll këto kryeqytete menjëherë pas tërheqjes së plotë të forcave të huaja”, tha Deborah Lyons, përfaqësuese speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Në një intervistë ekskluzive me Zërin e Amerikës, Nënpresidenti i Parë i Afganistanit, Amrullah Saleh tha se Talibanët kanë fituar besim pas fillimit të largimit të forcave amerikane.
“Ata kanë një bindje të rreme se i kanë mundur të huajt dhe tani duhet të mposhtin vetëm forcat afgane“, tha ai.
Pra, sfida kryesore për Shtetet e Bashkuara është sjellja e talibanëve në tryezën e bisedimeve të paqes. Kjo do të jetë në rendin e ditës kur Presidenti Joe Biden të takohet të premten me Presidentin e Afganistanit Ashraf Ghani dhe Kryetarin e Këshillit të Lartë për Pajtimin Kombëtar Abdullah Abdullah.
“Ata do të diskutojnë mbi bashkëpunimin e nevojshëm për t’u siguruar që Afganistani kurrë të mos bëhet një strehë e sigurt për grupet terroriste që përbëjnë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Ata do të diskutojnë edhe për vazhdimin e ndihmës humanitare dhe ndihmave të tjera për të cilat Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara“, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
Ish-ambasadori amerikan në Afganistan Ronald Neumann thotë se takimi i së premtes nuk do të jetë thjeshtë simbolik.
“Ftesa është një simbol i vendosmërisë amerikane për të qëndruar të përfshirë, të angazhuar me Afganistanin dhe për të vazhduar ndihmën për Afganistanin, megjithë largimin e trupave amerikane. Gjithashtu, është e rëndësishme që të dy udhëheqësit, Dr. Abdullah dhe Presidenti Ghani, po vijnë së bashku. Unë mendoj se kjo është një shenjë shumë e rëndësishme dhe e dukshme e unitetit që është shumë e nevojshme në Kabul”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara po ofrojnë më shumë se 266 milionë dollarë ndihmë të re humanitare për Afganistanin ndërsa Uashingtoni tërhiqet nga lufta e tij më e gjatë në histori. Sipas OKB-së, 18 milionë afganë kanë nevojë për ndihmë dhe gati 5 milionë janë të zhvendosur brenda vendit./ Zëri i Amerikës.
Top Channel