“Ndaloni së shtiruri, çoni përpara Reformën në Drejtësi”/ Yuri Kim: Shqiptarët i kanë sytë te ju!

23/06/2021 11:01

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim dha  mesazhe të forta, sa i takon zbatimit dhe çuarjes përpara të Reformës në Drejtësi.  Kim ka deklaruar në një konference të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për monitorimin e punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe gjyqësorit përgjatë një viti se reforma në Drejtësi duhet të jetë reale dhe se duhet ndaluar së shtiruri. Diplomatja amerikane tha se është e vetëdijshme për presionet që mund të kenë këto dy institucione, por theksoi rëndësinë për të ecur përpara. Kim iu drejtua prokurorëve dhe gjyqtarëve duke iu thënë se roli i tyre në këtë moment për Shqipërinë është kritik dhe se është e kuptueshme edhe presioni që mund të kenë.

” Është e rëndësishme për ne të kuptojmë punën e KLGJ dhe KLP, si kanë ecur deri tani. SPAK ka prokurorët. Klasa e parë e hetuesve të BKH do të përfundojë trajnimin së shpejti. Ka shumë gjyqtarë e prokurorë që janë larguar nga detyra dhe kjo është një gjë e mirë. Nëse jemi serioz për kapjen e momentit në të cilin është Shqipëria, për të pasur një Shqipëri më të mirë dhe më të denjë si anëtare e BE, më të sigurt dhe po aq të begatë sa çdo anëtar tjetër i BE, reforma në drejtësi duhet të vazhdojë. Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë. Së pari, KLD duhet të plotësojë detyrën e tij për të pasur një SPAK me gjyqtarë që kanë kaluar Vettingun. Nuk ka dyshim që plotësimi i vendeve bosh, të shkaktuara nga Vettingu ka qenë alarmuese. Por, KLD ka mundësinë për të rikthyer procesin ne shtegun e duhur. Këshilli duhet të veprojë tani për të bërë një vlerësim të sistemit, duke bërë hartësimin gjyqësor dhe duke iu kërkuar llogari magjistratëve.”

Ajo shtoi se kjo reformë ka kosto personale e profesionale, duke theksuar se nëse KLP dhe KLGJ nuk guxojnë ta bëjnë këtë, kostot do t’i paguajnë brezat e ardhshëm.

“Këshilli duhet të themelojë e caktojë mirë standardet, me qëllim që t’iu kërkojë llogari magjistratëve. Këshilli duhet të ndjekë rregullat e procedurat, në kohën e përcaktuar nga ligji. KLGJ e KLP kanë shumë punë përpara, por nuk janë vetëm. Ne e kuptojmë që ata janë qenie njerëzore. Ne e kuptojmë trysnin, ndoshta jo aq mirë sa ju, por e kuptojmë po aq sa ju rëndësinë e të ecurit përpara. Ky është momenti, ju keni rol tejet të rëndësishëm. Fëmijët, brezi i ardhshëm, e kanë mendjen te ju. Askush nuk mendon që është gjë e lehtë, e di që ka një kosto vetjake dhe profesionale, por është një kosto që ja vlen, se është në të mirë të shtetit shqiptar. Nëse ju nuk jeni të guximshëm, të paguani kostot, apo nëse të gjithë ne nuk i paguajmë kostot, do t’i paguajnë brezat e ardhshëm” .

Diplomatja amerikane tha se është alarmante numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga Vettingu, e ndërsa ndonëse pa përmendur emër ka sjellë në vëmendje edhe rastin e gjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani dhe videove të saj të bëra në ambientet e gjykatës, por dhe jashtë saj. Nisur nga rasti në fjalë Kim u sugjeroi për KLP e KLGJ që të adaptojnë një Kod të mirë Etike.

FOTO GALERI
2/22

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA