Sterling mban Anglinë në krye, Kroacia fiton dhe kalon në 1/8-at

22/06/2021 23:00

Kroacia triumfon me rezultatin 3-1 ndaj Skocisë në “Hampden Park” të Glasgow-t dhe siguron një biletë për në fazën e 1/8-ave të Kampionatit Europian, pasi e mbylli fazën e grupeve në vendin e dytë.

Pas paraqitjeve zhgënjyese në dy ndeshjet e para, ku kishte marrë vetëm një pikë, skuadra ballkanase ia doli të tregojë veten në sfidën vendimtare, pasi ndaj Skocisë vetëm fitorja i jepte kualifikimin.

Ndeshjen e zhbllokoi Vlasic në minutën e 17’, ndërsa vendasit rikthyen baraspeshën në minutën e 42-të me anë të McGregor. Në pjesën e dytë kroatët ishin më të vendosur dhe gjetën golin e avantazhit me anë të kapitenit Luka Modriç, që lëshoi një goditje fantastike nga distanca dhe dërgoi topin në trekëndëshin e portës skoceze.

Në minutën e 77’ ishte sulmuesi anësor Ivan Perisic që shënoi edhe golin e tretë për skuadrën e Zlatko Daliç, duke vulosur rezultatin e sfidës dhe njëkohësisht kualifikimin e Kroacisë, që në fazën e 1/8-ave do të përballet me vendin e dytë të grupit E.

E mbyll si kokë grupi edhe Anglia, që triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Republikës Çeke në “Wembley”. Skuadra e Gary Southgate gjeti golin që në minutat e para me anë të Raheem Sterling dhe më pas ruajti me fanatizëm avantazhin, duke marrë një tjetër 3-pikësh.

Zhgënjen sërish kapiteni Harry Kane për “tre luanët”, pasi nuk e ka shënuar ende golin e parë në Europian, ndërsa vlen të theksohet se Anglia ka shënuar vetëm dy gola gjithsej dhe të dy me anë të Sterling.

Nga ana tjetër funksionon në mënyrë perfekte mbrojtja, që nuk ka nxjerrë asnjëherë topin nga rrjeta dhe u shfaq solide edhe në përballjen e sotme ndaj Republikës Çeke. Në fazën e 1/8-ave Anglia do të përballet me skuadrën që do të renditet e dyta në grupin F./ Supersport

Top Channel