Pas përballimit me sukses të situatës së pandemisë, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të zgjerojë shërbimet, me investimin e bërë së fundmi në Shërbimin e Ri të Kardiokirurgjisë.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndodheshin sot pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, për të parë jo vetëm Shërbimin e ri të Kardiokirurgjisë, por edhe investimin e përfunduar në laboratorin modern, pjesë e rrjetit të laboratorëve publikë me standarde ndërkombëtare.
“Pavarësisht se në një periudhë të vështirë të pandemisë, nuk kemi ndalur së realizuari investimet e parashikuara, për të siguruar më shumë shërbime ndaj qytetarëve. Shërbimi i Kardiokirurgjisë i jep një drejtim tjetër këtij spitali, pasi përmbyll një cikël të rëndësishëm përsa i përket sëmundjeve kardiologjike, ku përveç Shërbimit të Hemodinamikës, një shërbim i investuar rreth 5 vite më parë, tashmë dhe Shërbimi i Kardiokirurgjisë siguron që në momentin që futet në eficensë si shërbim, të realizojë mbi 400 ndërhyrje operatore në vit. Jemi në momentin që kemi përmbyllur investimin në sallën e operacionit, me të gjitha aparaturat përkatëse dhe me një reancimacion të ri”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Ndërhyrjet kirurgjikale për të sëmurët kardiovaskularë do të fillojnë në shtator, për të shkuar në kapacitetin e plotë gradualisht deri në fund të vitit. “Këtu është hera e parë që bëhet kardiokirurgji dhe nga janari i vitit të ardhshëm do jemi në kapacitet të plotë. Kjo do bëjë që sistemi i shëndetësisë publik të jetë në gjende të ofrojë shërbimin e duhur në një kohë sa më të shpejtë”, – theksoi një nga mjekët e këtij spitali.
Pjesë e ekipit të “Shefqet Ndroqit” do të bëhen edhe mjekë të rikthyer pas thirrjes se hapur në kuadrin e projektit “Gati Shqipërinë”.
“Për të vënë në jetë projekte si ky dhe në kuadër të thirrje “Gati për Shqipërinë”, edhe një kardiokirurg na ofrohet nga Gjermania, doktor Fagu, i cili po bëhet gati për t’u shkëputur nga një klinikë në Gjermani dhe për të filluar këtu punë si kardiokirurg, për t’ju bashkuar ekipi të “Shefqet Ndroqit””, – shpreh ministrja Manastirliu.
Top Channel