Rashica e mbyll me Werderin, transferohet në kampionatin anglez

22/06/2021 22:11

Milot Rashica transferohet në Premier League. Sulmuesi nga Kosova i dha fund eksperiencës prej tre sezonesh e gjysmë te gjermanët e Werder Bremenit, teksa pasditen e sotme u bë zyrtarisht pjesë e anglezëve të Norwich-it.

Këta të fundit shpenzuan plot 11.5 milionë euro për kartonin e Rashicës, duke e bërë atë lojtarin e dytë më të shtrenjtë të përfaqësueses së Kosovës, pas Vedat Muriqit, që u transferua te Lazio përreth 20 milionë euro verën e kaluar.

Rashica, që më 28 qershor do të festojë ditëlindjen e 25-të, ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me Norwichin dhe pas një paraqitjeje mjaft të mirë në Bundesligë, do të kërkojë konfirmimin edhe në kampionatin anglez.

Nga ana tjetër Norwich sapo është rikthyer në Premier League, pas një sezoni në Championship dhe Rashica është i pari që vjen për të përforcuar skuadrën, që do të synojë qëndrimin sa më gjatë në elitën e futbollit anglez./supersport

Top Channel