Di Maio nga Kuvendi i Kosovës: Pavarësia e Kosovës element thelbësor i lirisë e demokracisë në rajon

22/06/2021 18:42

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës ka folur edhe për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, duke theksuar se Kosova nuk ka pse të ketë frikë nga ky dialog, sepse Pavarësia e Kosovës, integriteti dhe sovraniteti i saj nuk janë në diskutim.

Sipas mediave vendase, Di Maio tha se është thelbësore të shikohet rruga e pajtimit me lehtësi dhe frymë të hapur.

“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë është një mundësi me rëndësi historike që të dy palët ta shfrytëzojnë atë dhe shpresoj se do ta shfrytëzojnë. I kuptoj mirë ndjeshmëritë e forta mbi temat e trajtuara në negociata. Por jam plotësisht i bindur se Kosova nuk ka asgjë për tu frikësuar nga ky dialog”,  tha ai.

 “Pavarësia e Kosovës, nuk është në diskutim dhe as integriteti i saj territorial dhe as sovraniteti i saj. Italia inkurajon të dy palët që të qojnë përpara negociatat në mënyrë konstruktive dhe me frymë të hapur në mënyrë që të shkruhet një faqe e re e historisë që bazohet në respekt të ndërsjellë”, shtoi Di Maio.

Ai ka thënë se nuk e mbështesin aspak idenë e ridizajnimit të kufijve në Ballkan duke thënë se e kanë parë me shqetësimin ringjalljen e presioneve nacionaliste.

Di Maio, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të tij, ka deklaruar se vetëm perspektiva konkrete evropiane ndal ridizajnimin e mundshëm të kufijve në Ballkan ide të cilën e ka cilësuar “avanturizëm politik”.

“Kemi parë me shqetësim ringjalljen e presioneve nacionaliste dhe thirrjeve okulte që synojnë ridizajnimin e kufijve në rajon dhe vënien në dyshim të integritetit territorial të disa vendeve. Ne hedhim poshtë këto provokime me vendosmëri absolute, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të vetëdijshëm se vetëm një perspektivë konkrete evropiane është në gjendje të shfuqizojë rifillimin e nacionalizmit që do të donte të kthente Ballkanin 30 vite pas. Sfida ndaj të cilës është e thirrur të përgjigjet BE-ja është rikthimi i besueshmërisë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Evropa nuk mund të thotë se është bashkuar, derisa nuk janë pjesë e saj të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Di Maio, pas takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe disa nga ministrat e Qeverisë, iu drejtua deputetëve të Kosovës.

Ai ka bërë të qartë gjatë fjalimit të tij se Kosova mund të mbështetet në shtetin e Italisë dhe siç theksoi ai kjo është dëshmuar në qershor të vitit 1999.

“Ju e dini mirë se mund të mbështeteni të Italia. Italia ka dëshmuar që me 12 qershor 1999 kur ushtarët tanë hynë në Kosovë nën flamurin e NATO-s me mision. Që atëherë vazhdon ë të garantojnë siguri. Evropa nuk do të jetë në gjendje të thotë se është e bashkuar përfundimisht në një çati për aq kohë sa Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e BE-së. Në situatën aktuale është thelbësore të theksohet që qëllimi është anëtarësimi i të gjitha vendeve të kësaj zonë në BE dhe kjo është e rëndësishme edhe për vet BE-në”, theksoi ai.

Di Maio tha se, “Investimi i bërë nga Italia në Ballkanin Perëndimor është i pakrahasueshëm”.

Sipas tij qëllimi është stabilizimi përfundimtar, duke u shprehur se pavarësia e Kosovës është një element thelbësor i lirisë e demokracisë në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA